Një pjesë nga literatura që kam ndeshur gjatë studimeve të mija, por që më ka ndihmuar edhe në interpretimin e situatave të ndryshme me të cilat jam përballur në jetë, janë konkluzionet e një studimi të kryer nga profesor Geert Hofstede, në 64 vende të botës për IBM.
Ky studim ka pasur si qëllim evidencimin e aspekteve që lejojnë përshkrimin e tendencave të kulturave të ndryshme. Rezultatet janë pesë pikëpamje me anë të të cilave mund të interpretojmë kultura të ndryshme dhe kulturën tonë, në raport me të tjerat. Po mundohem të shqipëroj pesë pikëpamjet:
- Pushteti është pikëpamja e parë dhe i përgjigjet pyetjes se sa pjesëtarët më të dobët të një organizim njerëzish pranojnë dhe presin që pushteti të shpërndahet në mënyrë të pabarabartë. Pra mund të konsiderohet si niveli i pabarazisë së pranuar nga pjesëtarët e organizatës por e shikuar nga poshtë lartë. Pra shikohet tendenca që grupi shfaq pa ndërhyrjen e një autoriteti.
- Individualizmi dhe kolektivizmi lidhet me tendencën e individëve që të bashkohen në grupe. Kështu, duke pasur parasysh këtë, shoqëritë mund të ndahen:
- Në shoqëritë individualiste në të cilat:
- lidhjet ndërmjet njerëzve në shoqëri janë të dobëta dhe secili mendon vetëm për vete dhe për të afërmit e ngushtë (prindër, motra, vëllezër, bashkëshortja/i, fëmijë);
- ç'do lloj oferte nga tjetri, qoftë edhe ofertë ndihme në rast nevoje, shikohet si një ndërhyrje në punët e veta private dhe, si rrjedhojë, nuk shikohet si diçka pozitive;
- i jepet më shumë rëndësi individit dhe lirisë individuale të tij se sa grupit;
- shembuj; shoqëria është në pjesën më të madhe të saj individualiste në disa vende perëndimore si: SHBA, Angli, Itali, etj.
- Në shoqëritë kolektiviste në të cilat:
- njerëzit që nga lindja integrohet në grupe më të mëdha se familja e ngushtë;
- grupi kërkon besnikërinë e individit dhe në këmbim i garanton një mbrojtje minimale fizike;
- individi është i prirur të mendoj për pjesëtarët e tjerë të grupit dhe të raportojë me grupin dhe komunitetin përvojat e tij;
- popullsia e shikon veten si një grup i bashkuar por i mbyllur nga jashtë;
- familja është e gjerë dhe shtrihet edhe te të afërmit e largët;
- janë shembuj vende si Kina apo ish vendet komuniste, si Shqipëria, të cilat duket se po ndryshojnë tendencën e tyre.
- Vlerat mashkullore dhe vlerat femërore: ky klasifikim bëhet në bazën e shpërndarjes së roleve ndërmjet sekseve që një shoqëri pranon. Duhet pasur parasysh që flitet për vlera, pra për mënyrën mbizotëruese të sjelljes të një shoqërie në një çast të caktuar. Deri më momentin kur është bërë studimi flitej për:
- shoqëri mashkullore me të cilat nënkuptohen ato ku vlerat dominuese janë suksesi dhe orientimi drejt rezultateve të arritura;
- shoqëri femërore ku vëmendja përqendrohet te cilësia e jetës dhe te tjetri.
- Qëndrimi kundrejt të panjohurës: kjo pikëpamje mundohet të ndajë shoqëritë në bazë të mënyrës se si këta përballojnë situata të panjohura apo që krijojnë pasiguri. Kështu, botën mund ta ndajmë në:
- vende që evitojnë të panjohurën duke vendosur rregulla dhe ligje të forta në mënyrë që të evitojnë pasigurinë. Këto vende janë të ngurta dhe besojnë se janë rojet e të vërtetës absolute;
- vende që pranojnë të panjohurën dhe që janë më tolerante kundrejt mendimit të tjetrit dhe që mundohen të kenë pak rregulla dhe ligje. Në këto shoqëri bashkëjetojnë dhe të evoluojnë (zhvillohen) disa rryma mendimesh.
- Horizonti i mendimit është një pikëpamje që vlerëson sjelljet e një shoqërie dhe efektet që këto mund të kenë në distanca të ndryshme kohore. Duhet pasur parasysh që ç'do sjellje mund të prodhoj pasojat e saj në distanca të ndryshme kohore. Kështu, për shembull, kur punojmë presim si pasojë rrogën në fund të muajt. Në këtë rast veprojmë sot për të pasur pasoja pozitive pas një muaj, pra në një periudhë afat-shkurtër. Kur vendosim të blejmë një shtëpi e bëjmë për ti siguruar vetes sigurinë fizike një një hark kohor që mund të shkoj deri në dyzet apo pesëdhjete vjet. Në këtë rast nga veprimet tona presim pasoja pozitive në periudhën afat-gjatë. Ndarja e kohës në afat-shkurtër, afat-mesme apo afat-gjatë varet nga fusha e studimit por, për të pasur një ide, shembujt e mësipërm më duken të përshtatshëm. Duke u rikthyer te studimi vërejmë se ky i ndanë shoqëritë në:
- shoqëri me horizont mendimi afat-shkurtër në të cilat vlerat dominuese janë respekti për traditat, respekti i detyrimeve sociale dhe kujdesi për imazhin publik;
- shoqëri me horizont mendimi afat-gjatë në të cilat vlerat dominuese duket se janë këmbëngulja e vazhdueshme dhe aftësia e shoqërisë për mos shpërdoruar resurset e saj (parsimony).
Si mund të ndihmojnë rezultatet e këtij studimi në botën e sotme, gjithmonë e më shumë të globalizuar dhe të ndërlidhur?
Mund të pyesim veten se cilat janë karakteristikat e shoqërisë tonë të origjinës dhe cilat janë karakteristikat e shoqërisë ku jetojmë apo duam të jetojmë. Duke përdorur si ndihmë këtë ndarje për tu përgjigjur pyetjeve tona, do të kemi një ide pak a shumë të qartë, se ç'duhet të presim nga pjesëtarët e një shoqërie, ç'far mund të bëjmë dhe ç'farë nuk mund të bëjmë aty dhe si duhet bërë.
Kuptohet që kjo është një mënyrë për tu ndihmuar dhe nuk ka pretendimin të thotë të vërteta absolute sepse në shkencat sociale këto nuk ekzistojnë. Duke pasur parasysh këtë është e mundur që brenda një shoqëri (grup shoqëror, qytet, shtet apo komb), në pamje të parë me disa karakteristika mbizotëruese - për shembull një shtet ku mbizotërojnë vlerat e individualizmit - të gjenden karakteristika të tjera që mund të duken në kundërshtim me pamjen e parë - për shembull grupe shoqërore ku vlerat dominuese janë ato të kolektivizmit.
Gjithashtu, grupet shoqërore nuk kanë pothuajse kurrë karakteristikat në mënyrë absolute edhe për arsyen se shoqëritë janë gjithmonë në proces ndryshimi. Prandaj shpesh preferohet të flitet për nivele - për shembull; sa është individualist një grup shoqëror? - dhe për këtë arsye mund edhe të ndodhi që vlerat dominuese e identifikuara të jenë kontradiktore për arsyen se shoqëria mund të jetë në një proces ndryshimi.
No comments:
Post a Comment